Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket çështjes së presidentit, pas takimit pa rezultat mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Krasniqi në një postim në Facebook ka shkruar se qëllimi i Kurtit nuk ka qenë gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit.
“Ai tashmë e kontrollon këtë post dhe synimi i tij është ta mbajë sa më gjatë, përmes prodhimit të krizave politike dhe zvarritjes së proceseve. Që nga shpallja e aktgjykimit të Kushtetueses, strategjia ka qenë të amortizohet efekti politik që një afrim i Osmanit me LDK-në mund të sillte”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se rrjedhja e votave synohej të ndalej përmes “negociatave” të fokusuara vetëm me LDK-në.
“Duke rënë në këtë kurth politik, LDK jo vetëm që i mundësoi Kurtit të blejë kohë, por edhe të zbehte efektin politik që Osmani mund të prodhonte”, u shpreh Krasniqi.








