Më mirë vonë se kurrë. Kështu mund të përshkruhet rruga e Harry Kane, i cili pas më shumë se 10 vitesh pa trofe, që në sezonin e parë te Bayern Munich ka fituar Bundesliga dhe Superkupën e Gjermanisë. Tani ai ka siguruar edhe titullin e dytë të Bundesligës, pas fitores 4-2 ndaj Stuttgart, duke shënuar golin e tij të 51-të në të gjitha kompeticionet.
Sulmuesi anglez 32-vjeçar po përjeton sezonin më të mirë të karrierës, me 32 gola vetëm në Bundesliga, shumë përpara Undav (18) dhe Luis Diaz (15). Ky është trofeu i tretë në karrierë për të. Pas ndeshjes, Kane tha: “Është një shpërblim i bukur për gjithë punën e madhe dhe përkushtimin, si nga ekipi dhe stafi, ashtu edhe personalisht”. Ai shtoi se te Bayerni pritshmëritë janë gjithmonë për të fituar, por duhet punuar çdo ditë për këtë.
Anglezi theksoi gjithashtu se skuadra ka ende objektiva, përfshirë Champions League, por se ky titull duhet festuar dhe vlerësuar: “Sigurisht, e dimë mirë që kemi ende shumë për të luajtur këtë sezon (në veçanti gjysmëfinalen e Champions-it kundër PSG-së), por nuk duhet nënvlerësuar puna që është bërë gjatë këtij sezoni.
Është pak ndryshe nga viti i kaluar (kur Bayerni u eliminua më herët në Champions, i mundur në çerekfinale nga Interi). Kishim mundësinë të festonim vërtet dhe të shijonim një mbrëmje të madhe së bashku. Ndoshta nuk do të ndodhë menjëherë, por do të gjejmë momentin e duhur për ta bërë”.
The post Kane rikuperon kohën e humbur, trofeu i 3-të me Bayernin: Shpërblim i bukur për mua, tani Champions-i appeared first on Telesport.









