34 të arrestuar në operacionin policor kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka realizuar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur këto rezultate:

Janë arrestuar 34 persona të dyshuar.
Janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private;
Janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë:
rreth 170,000 euro para të gatshme,
pesë (5) automjete,
armë zjarri,
si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit kompetent:

29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa
të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Veprime policore në këtë fushëveprim, gjithashtu janë ndërmarr edhe nga hetimet rajonale dhe stacionet kompetente policore, ku ka pasur rezultate konkrete në parandalim dhe po ashtu arrestim të personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë derguar në mbajtje.

Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria vlerësojnë lart profesionalizmin, përkushtimin dhe efikasitetin e zyrtarëve policorë dhe hetuesve të përfshirë në këto operacione komplekse, të cilat janë zhvilluar në disa faza dhe lokacione të ndryshme. Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë kyç në arritjen e këtyre rezultateve konkrete.

Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit dhe ftojnë qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare.