Ngjarje e rëndë në Itali: Shqiptari vret ish-gruan dhe partnerin e saj të ri

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Cossombrato të Astit pranë Torinos, ku një 59-vjeçar shqiptar dyshohet se ka vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kulla e kështjellës së qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar është A.K, i cili jetonte në Itali prej rreth 20 vitesh, ashtu si edhe viktima D.K. Dyshohet se burri kishte tentuar disa herë të rikthehej me ish-partneren, por ajo kishte refuzuar për shkak të një marrëdhënieje të re, shkruan TopChannel.

Sipas hetimeve fillestare, 59-vjeçari i ka sulmuar viktimat me një mjet pune të mprehtë, duke i goditur për vdekje. Më pas, ai është ngjitur në kullën e kështjellës, ku ka pasur akses për shkak të punës së tij si kopshtar, dhe është hedhur, duke humbur jetën në vend.

Fillimisht, Karabinierët gjetën trupin e autorit, ndërsa pas disa orësh kërkimesh u zbuluan edhe trupat e dy viktimave në një zonë fushore pranë hyrjes së fshatit.