27 vjet nga masakra në fshatrat Poklek dhe Çikatovë, dëshmitari Muqolli rrëfen për tragjedinë

Sot bëhen 27 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën.

Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Dëshmitari i Masakrës së Poklekut, Fadil Muqolli, ka rrëfyer për tmerrin e 17 prillit

Në rrëfimin e tij për emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosova, Muqolli ka treguar momentet kur e ka kuptuar se i ishte vrarë e gjithë familja.

“Axha Elmia më ka thënë se diçka shumë e madhe ka ndodhur dhe se duhet të jem i fortë. Unë kam menduar se mund të jetë vrarë dikush nga ushtarët ose vëllai që ka qenë ushtar. Kur e kam pyetur sërish, më ka thënë, na i kanë vrarë krejt familjen”, ka deklaruar ai.

Sipas Muqollit, familja e tij ishte vrarë dhe shtëpia ishte djegur nga forcat serbe.

“Nuk e besova, e kam pyetur a e din çka po flet, a je mirë, por më ka thënë ‘po, krejt familjen na e kanë vra dhe na e kanë kallë’. Me fjalë nuk di me përshkru tmerrin që kam përjetu”, rrëfeu ai.