Konfirmohet rasti i parë i sëmundjes “Lija e Deleve/ Dhive” në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar rastin e parë të sëmundjes “Lijës së Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox)” në Kosovë.

Rasti është identifikuar në një fermë të deleve në fshatin Sazli, në e Ferizaj, pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 15 prill 2026, autoritetet kanë vendosur masa të menjëhershme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje, në përputhje me Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë. Masat aktualisht zbatohen në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, por mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike.

“Ndër masat kryesore të ndërmarra janë ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, pezullimi i tregtimit dhe shitblerjes së tyre, si dhe vendosja në karantinë e plotë e fermave ku konfirmohet prania e sëmundjes. Po ashtu, fermerët obligohen të raportojnë menjëherë çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe të zbatojnë masa të rrepta të biosigurisë”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu nga komunat që të përcaktojnë lokacione për groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë me hetimet epidemiologjike dhe testimet laboratorike.

“Përjashtimisht, lejohet transporti i kafshëve nga fermat e paprekura drejt thertoreve të licencuara, por vetëm me miratimin paraprak të inspektorit veterinar. Ndërkohë, të gjithë menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë menjëherë aktivitetin për tregtimin e deleve dhe dhive”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Zbatimi i këtyre masave do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës dhe organet komunale, në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Masat kanë hyrë në fuqi menjëherë, duke filluar nga data 15 prill 2026.