Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar për një përkeqësim të situatës së sigurisë në rajon, duke e lidhur këtë me “zhvillimet ushtarake dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës”, transmeton Paparaci.
Në një deklaratë pas një takimi me drejtuesit ushtarakë, ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse “për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë”.
Vuçiqi ka bërë të ditur se në ditët në vijim priten marrëveshje të mëdha për furnizim me armë dhe pajisje ushtarake, ndërsa paralajmëroi edhe rritje të mëtejshme të investimeve në teknologji moderne, përfshirë dronët, robotizimin dhe digjitalizimin e ushtrisë. Sipas tij, synimi është krijimi i një sistemi të avancuar dhe shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore, i aftë të mbrojë territorin, qytetet dhe infrastrukturën kritike të vendit.
Në planin ndërkombëtar, ai komentoi deklaratat e ministrit rus të Jashtëm Sergey Lavrov, duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të ndjekë një politikë të balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit. Vuçiqi pranoi se presionet ndaj Beogradit pritet të rriten, sidomos në kontekstin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.
Megjithëse shprehu shqetësim për zhvillimet globale dhe mungesë optimizmi për situatën ndërkombëtare, presidenti serb u zotua se do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe interesat kombëtare të vendit. Ai nënvizoi se “Serbia do të përpiqet të ruajë një kurs të pavarur politik”, pavarësisht sfidave dhe presioneve në rritje nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë./Paparaci.com









