Endrick apo Gonzalo Garcia? Real Madrid merr që tani vendimin e rëndësishëm për sezonin e ri

Huazimi te Lyon i ka bërë shumë mirë Endrick. Braziliani ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 6 asiste te francezët, në 16 ndeshje në total. Duke parë formën e mirë të Endrick, drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur që tani për rikthimin e brazilianit dhe qëndrimin e tij te “Los Blancos” për sezonin e ardhshëm, bën të ditur “The Athletic”.

Sipas raportimit në fjalë, rikthimi i Endrick do të largojë Gonzalo Garcia, pasi nuk ka vend për të dy. “Zbulimi” i ish-trajnerit Xabi Alonso gjatë Kupës së Botës për Klube në verën e kaluar, ka luajtur vetëm 1190 minuta në të gjitha kompeticionet, ku ka shënuae 6 gola dhe ka dhënë 2 asiste.

Edhe vetë sulmuesi është i vetëdijshëm për shanset e pakta që ka te Real Madrid, ndaj ka pranuar vendimin e drejtuesve dhe do të kërkojë një ekip të ri në verë. Ndryshe nga sa u veprua me Endrick, Gonzalo Garcia do të shitet në formë përfundimtare.

Për spanjollin ka interes konkret nga Sunderland dhe West Ham në Premier League, por edhe nga disa ekipe në La Liga. Vlera në treg e 22-vjeçarit llogaritet te 30 milionë euro.

The post Endrick apo Gonzalo Garcia? Real Madrid merr që tani vendimin e rëndësishëm për sezonin e ri appeared first on Telesport.