Kreu i qeverisë është ndalur sot në Vlorë, ku ka zhvilluar një takim me operatorët turistikë.
Edi Rama tha se ata kanë bërë një punë shumë të mirë në rrugëtimin e tyre në turizëm, por nuk e ka kursyer edhe një këshillë për të gjithë personat e fushës.
Rama tha se çmimet duhet të jenë në proporcion me shërbimet që ofron, pasi ndryshe sipas tij njerëzit nuk do të kthehen më.
“Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë turistë më shumë edhe jashtë sezonit, nëse do të jetë e përgatitur për këtë. E shohim edhe në aspektin e interesimit të investimeve, që ka pasur një rritje, dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë.
Jemi për të folur dhe për ato që nuk janë zhvilluar pozitivisht sepse njerëzit vijnë me një arsye, dhe nëse gjejnë arsye që nuk i kënaqin, jo vetëm që nuk kthehen më por kthehet në boomerang. Jemi të qartë që çmimet nuk i vendos qeveria, por çmimet duhet t’i vendosë vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja. Qëllimi jonë është të parandalojmë atë që u ka ndodhur të tjerëve. Si rezultat i fluksit kanë pasur mendjen e ngushtë duke menduar se njerëzit do t’i kenë aty, dhe kanë nisur të investojnë më shumë por duke dashur të përfitojnë shumë, në atë moment dhe u kanë mbetur në derë investimet se nuk u kanë ardhur më shumë njerëz.
Nëse çmimet janë më lartë se ajo që ofroni, i keni bërë gropën vetes, po flas për gropën në investime, duhet strategji afatmesme sesi do merrni fitim të arsyeshëm dhe jo atë që mund të merrni në moment. Ju e dini vetë, por unë po u flas me disa të vërteta si dikush që e dua këtë qytet”, tha Rama.
Një tjetër këshillë e Ramës për ta ishte që të “mos shohin çdo hapësirë për pallat, por për parkime me pagesë”.









