Kombëtarja e Montserrat, një ishull karibik me pak më shumë se 4300 banorë, po kërkon një trajner të ri dhe e bën këtë në një mënyrë jo të zakonshme. Federata lokale ka publikuar njoftimin direkt në rrjetet sociale, duke hapur zyrtarisht kandidaturat përmes Facebook për drejtimin e ekipit të parë.
Një iniciativë jashtë standardeve të futbollit ndërkombëtar, me synimin për të zgjeruar bazën e kandidatëve globalisht. Kandidaturat duhet të dërgohen me email deri më 17 prill, me kërkesa të qarta: licencë trajneri e njohur (UEFA, CONMEBOL ose CONCACAF, të paktën nivel B) dhe eksperiencë tri deri pesë vite.
Roli shkon përtej drejtimit të ekipit të parë. Trajneri i ardhshëm do të ndërtojë dhe mbikëqyrë të gjithë projektin teknik; nga filozofia e lojës, zhvillimi i akademive dhe futbollit femëror, trajnimi i trajnerëve lokalë, programet shkollore dhe koordinimi me FIFA dhe CONCACAF.
Detyrat përfshijnë edhe skautimin e talenteve, krijimin e databazës së lojtarëve dhe menaxhimin direkt të ekipit kombëtar në kompeticione zyrtare. Ky kërkim bëhet në një moment delikat për federatën, aktualisht nën një komitet normalizimi të emëruar nga FIFA. Qëllimi është të rilancohet futbolli në ishull me strukturë më të fortë dhe vizion afatgjatë, duke u fokusuar te zhvillimi dhe qëndrueshmëria.
The post Kombëtarja e vendit më të vogël në botë kërkon trajner përmes… Facebook-ut appeared first on Telesport.








