Aliu “zbulon” skenarin e VV-së: A e dini pse janë vonuar qe tri vite me ligje?

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, ka “zbuluar” skenarin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vonesën për propozimin për miratimin e ligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas Aliut, e gjithë kjo vonesë prej tri viteve është shkaktuar vetëm për faktin që në presion të kohës të mos merret askush me përmbajtjen e ligjit.

Numri dy i komunës së Ferizajt bëri me dije se sipas ligjit të propozuar, mund të lidhen kontrata pa negocim.

“A po e dini pse janë vonuar që tri vite për ta propozuar e miratuar ligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”? Që tash, nën presionin e kohës, ta miratojnë këtë ligj shpejt e shpejt e të mos mirret kush me të. Dje, një deputete e re dhe e trishtuar shkroi se me këtë ligj lejohet që investimet në infrastrukturën sportive prej 253 milion eurosh të bëhen me tendera pa konkurrencë të hapur. Dmth, për shkak të urgjencës, do të lejohet që të lidhen kontrata me marrëveshje me operatorët ekonomik pa konkurencë të hapur. Dmth me tendera një burimor. Madje madje, këtë ligj e paskan bërë mbizotërues ndaj të gjithë ligjeve tjera të Republikës së Kosovës deri në vitin 2030”, thuhet në postimin e tij në Facebook.