Vitia nënshkruan tenderin 20 milionësh për ndërtimin e Qendrës Emergjente

20,020,020.00 euro peshon tenderi për ndërtimin e Qendrës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare (QKUK), të cilin e ka nënshkruar sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Fituese e tenderit është shpallur një konsorcium ekonomik i kryesuar nga CONSTRUMAX Sh.P.K, një firmë private ndërtimore me bazë në Suharekë dhe në pronësi të Faton Krasniqit.

Procedura është përmbyllur sot në ritenderim, pas gati një viti të vonesave procedurale.

Pesë konsorciume ekonomike kishin ofertuar në tenderin për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente, por vetëm oferta e kompanisë fituese është shpallur e përgjegjshme.

Ministri Arben Vitia njoftoi në rrjetin social Facebook për nënshkrimin e kontratës të premten.

“Pas shumë sfidave, i është dhënë dritë e gjelbër Ministrisë për vazhdimin e punimeve”, tha sot ministri i Shëndetësisë.

Vitia tha se “sipas kontratës, Qendra Emergjente pritet të përfundojë brenda 30 muajsh”. /Paparaci.com