Driton Selmanaj nga LDK ka reaguar ashpër ndaj heqjes së logos zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës nga profili i saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe shqetësues.
Në një postim publik, Selmanaj ka theksuar se mosrespektimi i logos zyrtare nuk është një çështje teknike, por një veprim i qëllimshëm kundër simboleve shtetërore që mbrohen me ligj. Sipas tij, institucionet nuk kanë të drejtë të improvizojnë apo të anashkalojnë elementet që përfaqësojnë identitetin institucional të vendit.
Ai ka përmendur edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo menjëherë pas marrjes së detyrës është kujdesur për ndryshimin e pamjes së faqes zyrtare, duke e hequr logon e Presidencës.
Selmanaj e ka cilësuar si të papranueshëm edhe injorimin e logos së dizajnuar gjatë kohës së Presidentit historik Ibrahim Rugova, duke theksuar se ajo përfaqëson më shumë se një element grafik, pasi bart vlerë të rëndësishme në trashëgiminë shtetformuese dhe simbolikën e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, veprime të tilla krijojnë precedent të rrezikshëm dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Në fund, Selmanaj ka bërë thirrje që respektimi i simboleve shtetërore të mos shihet si opsion, por si obligim ligjor, duke kërkuar nga institucionet që të jenë shembull në ruajtjen e rendit, identitetit dhe dinjitetit shtetëror.









