Prizren: Arrestohet i dyshuari për 5 raste të vjedhjes

Një person në Prizren është arrestuar për pesë raste të vjedhjes.

Policia ka njoftuar se pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, sot hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”.

Derisa, gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”.

Lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.

I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Policia po punon me përkushtim në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në veprat penale të vjedhjes.