A kishte të mbathura Albulena Haxhiu këpucët luksoze 1 mijë e 200 euro?

Në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me rritje të mëdha të çmimeve e së fundmi edhe të naftës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është paraqitur me këpucë të ngjashme me ato të markës Loro Piana që kapin vlerën e më shumë se 1 mijë eurove.

Haxhiu bashkë me partinë e saj u ngrit në pushtet nga opozita duke kritikuar qeveritarët e mëparshëm për luksin e tyre, mirëpo në fotografitë e shkrepura nga pritjet tani si ushtruese e detyrës së presidentes, duket se Haxhiu mbath këpucë luksoze të destinuara për elitat shoqërore, jo për një përfaqësuese të një subjekti politik social-demokrat.

E jo më larg se para një viti, vetë Haxhiu thoshte se e shikon një herë çmimin pastaj vendos për të blerë produktin.

“Unë para se me ble diçka ia kqyri çmimin, nëse është shumë e lartë, bëhet më e vështirë me ble”, kishte thënë Haxhiu për T7 në prillin e vitit 2025.

Në një takim me Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Endri Shabani, Haxhiu është kapur në fotografitë zyrtare me këpucë që janë të ngjashme me modelin “Summer Charms Walk Loafer”, që në faqen zyrtare të Loro Piana kushtojnë deri ne 1200 euro.

Në po të njëjtën ditë, ajo është takuar edhe me drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushitin. Edhe në fotografitë e këtij takimi, Haxhiu shihet me të njëjtat këpucë.

Bëhet fjalë për modelin “Summer Charms Walk loafers”, një nga linjat më të njohura të Loro Piana, e cila njihet globalisht për prodhimin e këpucëve dhe veshjeve ultra-premium, të realizuara nga materiale natyrale të cilësisë së lartë si lëkura suede, kamoshi apo edhe fibra të rralla si kashmir e vikunja.

Në Kosovë deri më tani nuk ka përfaqësim të autorizuar të brendit Loro Piana. Megjithatë, në Kosovë ekzistojnë disa imitime të këpucëve luksoze Loro Piana dhe ato janë hedhur në treg nga dyqane të ndryshme, sipas një verifikimi që ka kryer Paparaci. Çmimi i tyre variron nga 40 deri në 65 euro.

Mirëpo, imitimi i produkteve është i jashtëligjshëm, bazuar në ligjet në fuqi të Kosovës të cilat mbrojnë markat tregtare.

Presidentja në detyrë, nga e cila pritet që së paku të respektojë ligjet dhe standardet, promovimi i produkteve imituese e implikon atë në mbështetje të aktiviteteve të jashtëligjshme.

Ndërkaq, një dyqan i veshmbathjeve luksoze në Zagreb të Kroacisë shet modelet e tilla që përdor Haxhiu.

Paparaci ka pyetur për çmimin dhe dyqani është përgjigjur se kushtojnë 1 mijë e 80 euro.

Këto këpucë karakterizohen nga një dizajn minimalist, pa lidhëse, me prerje të pastër dhe logo diskrete metalike në pjesën e sipërme – element që është bërë identifikues për markën.

Ato janë të dizajnuara për komoditet maksimal, me shtresa të buta të brendshme dhe taban fleksibël, duke i bërë të përshtatshme për përdorim të përditshëm, por njëkohësisht duke ruajtur një profil të lartë estetik dhe elitist.

Një nga veçoritë kryesore të këtij modeli është fakti se prodhimi i tyre është pjesërisht artizanal, me përpunim të detajuar – faktor që ndikon drejtpërdrejt në çmimin e tyre të lartë. Loro Piana konsiderohet një nga markat më ekskluzive në botë, shpesh e lidhur me elitën financiare dhe politike, ku produktet e saj nuk janë thjesht veshje, por simbol statusi.

Versionet e reja të këtyre këpucëve kapin vlera nga 800 deri në 1,200 euro, ndërsa edhe në tregun e këpucëve të përdorura – si në platforma online – ato shiten nga 250 deri në 600 euro.

34 seanca me 34 veshje të ndryshme

Ndërkaq, një vit më parë kur deputetët assesi nuk po e zgjidhnin për kryetare të Kuvendit nga zgjedhjet e shkurtit, Haxhiu në 34 seanca kishte shkuar me 34 palë veshje të ndryshme.

Kur nuk kishte marrëveshje për konstituim, të paktën kishte guxim stilistik nga Haxhiu.

Kuvendi nuk funksiononte atë kohë, mirëpo garderoba e Albulena Haxhiut funksiononte në maksimum.

Lexo më shumë: 

34 seanca të dështuara, por asnjëherë Albulena Haxhiu nuk shkoi me të njëjtat rroba