Ministri Andin Hoti ka thënë se dikasteri që ai udhëheq nuk ka përgjegjësi për ekspozitën “Masakrat e Luftës 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi në Sheshin “Nënë Tereza”.
Duke raportuar para deputetëve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të mërkurën, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare tha se financimin e ekspozitës e kanë bërë Kuvendi i Kosovës dhe disa organizata.
Hoti, me ironi tha se ai “nuk mund ta rrahë” Shkëlzen Gashin, derisa i kërkohej llogari nga deputetët rreth ekspozitës së tij.
“Ajo çka ka ndodhur dy javët e fundit, krijimi i një opinioni publik se kinse ministria që unë udhëheqë që ka njëfarë përgjegjësie për ekspozitën në shesh. Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave të luftës dhe unë kam reaguar ndër të parët lidhur me ekspozitën. Unë nuk kam mekanizëm aktual për t’i hequr pllakat. Financimin e kanë bërë disa organizata dhe Kuvendi, por jo ministria…Shkëlzen Gashi nuk është Albin Kurti, ai nuk është këshilltar i imi. Unë nuk mund ta rrah Shkëlzen Gashin”, ka thënë Hoti.
Raportimi i ministrit Hoti ka vazhduar për çështje të tjera në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvend.









