Rënia e çmimeve të naftës në bursë, vjen reagimi i naftëtarëve të Kosovës

Shoferët në Kosovë pritet që “shumë shpejt” t’i ndiejnë pasojat e lirimit të çmimit të naftës së papërpunuar në tregjet globale, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Berjani tha sot se çmimet e ulura në bursë pritet të “reflektohen” edhe në Kosovë. Por, jo menjëherë.

“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, tha Berjani në një deklaratë për portalin Indeksonline të mërkurën.

Aktualisht, çmimet në tregun vendor janë: dizeli 1.89 euro për litër, ndërsa benzina 1.46 euro për litër.

Megjithatë, ai ka theksuar se nuk mund të jepen afate të sakta për uljen e çmimeve në tregun vendor.

“S’mundemi me paragjyku se kur do të ulen çmimet te ne, sepse krejt varet prej bursës”, është shprehur ai.

Sipas tij, ulja e çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare dhe pritjet për marrëveshje që po ndikojnë në stabilizimin e tregut global të naftës.