Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pas një incidenti të ndodhur në “Rrugën B”.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 13:01, kur i dyshuari fillimisht ka tentuar të sulmojë një person tjetër me kaçavidë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, i dyshuari ka shfaqur rezistencë ndaj zyrtarëve policorë dhe, në përpjekje për ta vënë nën kontroll, ai ka sulmuar fizikisht njërin prej tyre, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Polici i lënduar ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe mbetet në hetim.









