Nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës dhe ndërhyrjes shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Aliu ka pyetur nëse qytetarët janë të informuar për përfitimet që realizojnë kompanitë që operojnë në këtë sektor, duke theksuar se kjo çështje mbetet e paqartë.
“A e di ndokush sa për qind e kanë përfitimin kompanitë e energjisë elektrike?”, ka pyetur ai, duke shtuar se vetë nuk ka informacion mbi këtë.
Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për mungesën e politikave rregullatore nga ana e institucioneve shtetërore, konkretisht për mungesën e vendosjes së çmimeve tavan për energjinë elektrike.
“A ju ka shku ndërmend ndonjëherë me pyet pse Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka vendosë çmime tavan për energjinë elektrike? As që është diskutuar ndonjëherë kjo çështje”, ka deklaruar Aliu.
Në reagimin e tij, ai ka vënë në dyshim edhe narrativën për krizën energjetike, duke sugjeruar se mungesa e debatit të brendshëm mund të lë të kuptohet se kriza po trajtohet vetëm si fenomen ndërkombëtar.
“Ndoshta Kosova nuk ka krizë energjetike… ndoshta kriza duhet me qenë vetëm krizë ndërkombëtare për me e konsideru se edhe Kosova është në krizë”, ka shtuar ai.
Deklaratat e Aliut vijnë në një kohë kur çështja e çmimeve të energjisë dhe roli i shtetit në rregullimin e tregut vazhdojnë të mbeten tema të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset në vend.









