Fituesi i tenderit 1.6 milionësh për uniformat e ushtarëve, është liruar nga akuza për mashtrim

Sabit Makiqi, pronari i kompanisë “A&V Collection” që fitoi tenderin 1.6 milionë eurosh për furnizim me uniforma të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është liruar nga aktakuza për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Aktgjykimi për rastin ndaj Makiqit dhe dy të tjerëve është marrë më 3 nëntor të vitit të kaluar, raporton Paparaci.

Shkalla e parë e gjykatës ka konstatuar përtej dyshimit të bazuar mirë se nuk është provuar që Makiqi dhe dy të tjerët kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

“Provat materiale vërtetojnë tjetër gjendje faktike nga pretendimet e akuzës së Prokurorisë së Shtetit”, thuhet në aktgjykim.

Pronari i “A&V Collection” dyshohet se kishte tentuar të mashtronte Policinë e Kosovës në një aktivitet prokurimi përmes falsifikimit të tiketave dhe logove të uniformave.

Gjykata ka vlerësuar se ndryshimet në tiketa dhe logo të mostrave të paraqitura në tenderin e Policisë së Kosovë, nuk ishin bërë nga të akuzuarit por nga kompania turke, prodhuese e unformave.

“Gjykata pas administrimit të provave personale dhe materiale, ka vërtetuar se të akuzuarit nuk kanë qenë në dijeni, e aq me pak të vetëdijshëm se janë duke prezantuar mostra në një aktivitet të prokurimit publik, të cilat mostra kanë ndërhyrje në tiketa dhe logo dhe se janë mostra të një prodhuesi – kompanie tjetër nga ato kompani, për të cilët të akuzuarit kanë autorizimet dhe garancionet që të aplikojnë në aktivitetin e prokurimit publik në Kosovë”, thuhet në aktgjykim.

Makiqi dhe kompania të cilën ai drejton “A&V Collection” ka fituar një kontratë të majme nga Ministria e Mbrojtjes.

Ai, pritet që të martën e 7 prillit të hedhë firmën mbi kontratën me vlerë 1.6 milion euro për furnizim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me uniforma pune, ceremoniale dhe të bendit muzikor të Ushtrisë, sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të publikuar të hënën në platformën e-prokurimi.

Kontrata peshon saktësisht 1,698,215.00, tregon njoftimi për dhënie të kontratës i publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Njoftimi mbi vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për shpërblimin me kontratë të kompanisë “A&V Collection” u publikua më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa pas shterimit të mjeteve të ankesave, kontrata është planifikuar të nënshkruhet të martën e 7 prillit.

“A&V Collection NP”, në pronësi të Makiqit, është përzgjedhur për kontratë përmes kriterit të çmimit të më të lirë të peshuar. Edhe një operator tjetër ekonomik kishte ofertuar për kontratën, por me çmim rreth 100 mijë euro më të lartë të peshuar sesa fituesi i tenderit.

I akuzuari për mashtrim fiton tender 1.6 milionë euro për uniformat e FSK-së