Blerta Kllokoqi-Rugova, bashkëshortja e deputetit të LDK-së, Ukë Rugova, ka ngritur kartonin e kuq për çmimet e derivateve në vend.
Derisa gjatë të dielës çmimi i naftës ka shkuar në 1.91 euro, Kllokoqi-Rugova thotë se nafta nuk është luks por nevojë.
Ajo ka postuar një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku siç thotë “për të shprehur një ide dhe një realitet që po e jetojmë”.
Në të njëjtën kohë, ajo i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë përmes politikave fiskale, konkretisht duke ulur akcizën dhe TVSH-në.
“Nafta nuk është luks. Është nevojë. Në shumë vende, kur çmimet rriten, shteti reagon.
Ul akcizën. Ul TVSH-në. Që qytetari të marrë frymë. Dhe kur shteti nuk reagon nafta më nuk hidhet në makinë si duhet, por kursehet si parfum dhe qytetari detyrohet me u përshtatë me absurditetin”, shkruan ajo krahas videos së publikuar.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtunën një masë mbrojtëse për çmimin e derivateve të naftës, ndërkohë që çmimet po vazhdojnë të rriten për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari, njoftoi në rrjetin social Facebook se vendimi për vazhdimin e masës së ndërmarrë më 3 mars hyri tashmë në fuqi.
Masa synon të vendosë kufij për fitimet maksimale të lejuara në shitjen me shumicë dhe pakicë, duke ndihmuar në kontrollimin e rritjeve të çmimeve, por nuk parandalon rritje të mundshme në varësi të çmimeve të importit.
Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e mbështeti të premten një rezolutë të opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo nuk do të kishte ndikim të mirë tek qytetarët.










