Muriqi heroi i Mallorcas, shpërthen në lot pasi me gol shembi Realin

Vedat Muriqi ka kthyer shkëlqimin në La Liga.

Ylli i Kosovës të shtunën shënoi gol me goditje të fortë nga zona për fitoren 2:1 të Mallorcas ndaj Real Madridit.

Muriqi shënoi golin vendimtar në minutën e 91-të. Pas një topi që i erdhi në zonë, 31-vjeçari goditi fuqishëm për fitoren shumë të madhe të Mallorcas.

Muriqi i ka plot 19 gola në 29 paraqitje kampionale këtë edicion. Dhe me golat e tij Mallorca po shpreson shumë që të mbetet në elitën spanjolle.

Goli i Muriqit erdhi tre minuta pasi Real Madridi barazoi në 1:1. Eder Militao shënoi në minutën e 88-të. Manu Morlandes e realizoi golin e parë për Mallorcan në minutën e 41-të.

Muriqi ka luftuar gjatë gjithë ndeshjes dhe shpërtheu kur ishte momenti i duhur. Shënoi tjetër gol për të vazhduar ecurinë fantastike në kampionatin spanjoll.

Me fitore Mallorca doli në vendin e 17-të me 31 pikë. Kjo pozitë siguron mbetjen në La Liga.

Ndërkohë Muriqi i ka dhënë goditje shumë të rëndë Real Madridit në garën për titull të kampionit. Madridi është i dyti me 69 pikë.