Mallorca merr fitoren e sezonit, Vedat Muriqi fundos Real Madridin (video)

Mallorca ka fituar 2-1 ndaj Real Madridit, në sfidën e luajtur në stadiumin “Mallorca Son Moix”, e vlefshme për javën e 30-të në La Liga.

“Los Blancos” kanë bërë një paraqitje shumë të dobët, ndoshta më e dobta e këtij sezoni. Rasti i vetëm i rrezikshëm për pjesën e parë për madrilenët ishte ai i Kylian Mbappe në minutën e 22-të, por goditja e francezit u ndal nga Leo Roman.

Sfida u zhbllokua në minutën e 42-të, ku pas një krosimi të Pablo Maffeo dhe mungesës së vëmendjes të mbrojtjes madrilene, ishte Manu Morlanes që zhbllokoi shifrat, duke dërguar topin në rrjetë.

Pjesa e dytë ishte nën ritmet e pjesës së parë. Goli i barazimit u shënua në minutën e 88-të, ku Eder Militao i futur si zëvendësues në pjesën e dytë, shënoi me kokë pas krosimit të Alexander Arnold nga goditja e këndit.

Në minutën e parë shtesë ishte Vedat Muriqi që gjeti golin, pas një topi të nisur nga këmbët e portierit Leo Roman dhe aksionit fantastik të vendasve, që u finalizua me sukses nga sulmuesi dardan. Ky është goli i 19-të për Muriqin këtë sezon, që mban vendin e dytë në renditjen e golashënuesve më të mirë, pas Kylian Mbappe.

Mallorca fiton 2-1 dhe merr tre pikë të arta në garën për mbijetesë. Real Madrid pëson humbjen e pestë për këtë sezon dhe në rast se Barcelona fiton sonte ndaj Atletico Madridit, gara për titullin në La Liga mund të quhet e mbyllur.

SHIKOGOLAT

The post Mallorca merr fitoren e sezonit, Vedat Muriqi fundos Real Madridin (video) appeared first on Telesport.