Vjosa Osmani në adresimin e fundit si presidente e vendit falenderoi qytetarët për besimin dhe tregoi të arriturat e saj si e para e vendit në përfaqësimin diplomatik të vendit.
Osmani gjatë adresimit përmbyllës tha mes tjerash se Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë.
Ndër të tjerash Osmani tha se ‘në politikë, pikërisht besnikëria ndaj parimeve, konsistenca ndaj vlerave të popullit, shndërrohet në pengesë për disa’,.
“Ndonjëherë, në politikë, pikërisht besnikëria ndaj parimeve, konsistenca ndaj vlerave të popullit tënd, vizioni për të mbrojtur shtetin e për të qëndruar fort përkrah aleatëve të djeshëm e të sotëm, e mbi të gjitha besnikëria ndaj Kosovës, shndërrohet në pengesë për disa.Në këtë rrugëtim, kam mësuar edhe një të vërtetë tjetër: se ndonjëherë, sfidat më të mëdha nuk vijnë nga jashtë”, tha Osmani.
Tutje, ajo deklaroi se përgjatë 5 viteve ka përkrahur gratë, të rinjtë, mërgatën, sportistët dhe të gjithë qytetarët e vendit.
“Gjatë këtyre 5 viteve, kemi qëndruar pranë grave, të rinjve, fëmijëve, mërgatës, sportistëve, personave me nevoja të veçanta, komuniteteve jo-shumicë e qytetarëve tanë gjithandej vendit, sepse një Republikë e fortë ndërtohet vetëm kur secili qytetar ndihet i përfshirë, i dëgjuar dhe i përfaqësuar”, shtoi ajo.
Në fund, Osmani tha se po e lë institucionin e presidentes si një institucion të fortë ashtu siç thotë ajo e ndërtoi Presidenti Rugova.
“Këtë institucion e ndërtoi Presidenti Rugova si institucion të fortë, me integritet e me aleatë. Dhe të tillë, po e lë pas. Sot largohem nga kjo detyrë, por assesi, assesi, nga përkushtimi për atdheun tonë të dashur”, përfundoi Osmani.










