Ministria e Punëve të Brendshme ka dal me sqarim në lidhje me përdorimin e xhamave të errët në automjete.
Ishte raportuara se nga data 1 prill 2026, të gjitha automjetet që posedojnë xhama të errësuar do të duhet t’i legalizojnë ato përmes procedurës së A-TEST-it, në mënyrë që të jenë të rregullta në dokumentacion.
Mirëpo MPB-ja ka bërë të ditur se përdorimi i xhamave të errët në automjete është e rregulluar qartë me ligjin për automjete dhe me udhëzimin administrativ.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se përdorimi i xhamave të errët në automjete është i rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht me nenin 7 të këtij udhëzimi”, thuhet në njoftim.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi. Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkesës së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës.
“Për të sqaruar këtë çështje, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, më datë 24.02.2026, ka dërguar edhe opinion ligjor, përmes të cilit është sqaruar se përdorimi i xhamave të errët rregullohet ekskluzivisht nga dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2024, dhe se keto dispozita janë të qarta dhe detyruese për zbatim”, thuhet në reagimin e MPB-së.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.
“Këto rregulla janë vendosur me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, lehtësimit të kontrollit nga organet e rendit dhe parandalimit të aktiviteteve të paligjshme”, ka sqaruar kjo ministri.
“Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe të gjitha institucioneve që të respektojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë çështje. Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhej më tej.










