Shtrenjtimi i derivateve veç fillimi, Më e keqja ende s’ka ardhur

Shtrenjtimi i derivateve ka shkundur ekonominë e botës. Por disa analistë thonë se më e keqja ende s’ka mbërritur, teksa lufta në Iran ka mbushur më shumë se një muaj.

Siç ka shkruar NBC News, shqetësimi është se përtej shtrenjtimit të gjithëmbarshëm, të menjëhershëm si pasojë e shtrenjtimit të derivateve, lufta mund të zhvillohet në valë të ndryshme dhe se ndikimi i saj do të lërë pak ekonomi të paprekura.

“Nuk e kemi parë ende peshën më të madhe të saj”, ka thënë Samantha Gross, drejtoreshë e sigurisë energjetike dhe e klimës në Institutin Brookings. “Mendoj se tregjet po e nënvlerësojnë deri tash efektin e luftës. Duket se ata presin që kjo luftë të mbarojë shpejt, dhe që ne të mund t’i kthehemi botës së mëparshme. Dhe nuk mendoj se asnjëra prej këtyre ideve është e vërtetë”.

Shenjat e para shqetësuese veçse janë të pranishme. Niveli i çmimit të derivateve në nivel bote javën e shkuar mbërriti në nivelin e 2022-s, pas luftës në Ukrainë.

Përderisa lufta në Iran të zgjasë, po aq do të jetë pasiguria rreth çmimeve, sipas ekspertëve. Çmimet aktuale nuk janë kulmi.

“Është e qartë për mua që nëse kjo krizë zgjat për më shumë se tre ose katër muaj, do të bëhet në problem sistematik për botën”, ka thënë Patrick Pouyanne, drejtor ekzekutiv i gjigantit të naftës “Total”, në një konferencë botërore të energjisë në Houston këtë muaj, sipas “Bloomberg News”.

Arsyeja kyçe e shtrenjtimit të derivateve është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, nga Irani, që shfrytëzohet si tranzit për 20 për qind të eksportit të naftës në nivel bote.

“Shtrenjtimi i derivateve do të çojë në rritje të kostos së inputeve, transportit dhe prodhimit, në një kohë kur kërkesa mbetet e brishtë”, është thënë në një analizë të agjencisë së vlerësimit të kredive “Moody’s”, javën e shkuar.

Analistët kanë folur edhe për skenarë të zinj, në të cilët çmimi i naftës do të rritet dukshëm edhe përtej nivelit të sotëm.

“Edhe nëse lufta mbaron nesër, zinxhiri i ndërprerë i furnizimit do të zgjasë për kohë të gjatë, duke pasur parasysh dëmet që kemi parë në infrastrukturën energjetike, e që duhet të riparohen”, ka thënë Andy Lipow, president i konsulencës “Lipow Oil Associates”.