Mbetën pa rrogë të 13-të, minatorët e Trepçës reagojnë ashpër: Durimi po soset

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar lidhur me aprovimin e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publikë.

Kjo sindikatë e cilëson këtë zhvillim si padrejtësi sistematike.

“Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin.Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të”, theksojnë nga kjo sindikatë.

Sindikata potencon më tutje se minatorëve as trusti pensional nuk po iu paguhet.

“Minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dermuar nga puna e rëndë. Dhe në vend që të gjejë mbështetje, ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti. Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit”.

“Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi.

Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë.Mjaft më. Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë”.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës njëherësh ka bërë thirrje për veprim nga institucionet përkatëse, përndryshe kanë paralajmëruar edhe veprime në këtë drejtim.

“U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset.”