A mund ta bllokojë Osmani kalimin e postit te Haxhiu? Hasani sqaron situatën e presidentit

Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka sqaruar se pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale më 4 prill, përgjegjësitë e shefit të shtetit kalojnë automatikisht te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pa pasur nevojë për vendim apo urdhër formal.

Që nga viti 2008, kur shpalli Pavarësinë, më 4 prill të këtij viti vendi do të gjendet në një situatë institucionale me të cilën nuk është ballafaquar më parë: skadimi i mandatit të presidentit aktual pa u zgjedhur presidenti i ri.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, nuk e ka paraparë në mënyrë të qartë një situatë ku përfundon mandati i presidentit aktual dhe në të cilën nuk është zgjedhur në kohë presidenti i ri.

Në debatin publik mbizotëron interpretimi se rasti i përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani do të interpretohet si “mungesë e përkohshme” e presidentit, siç parashihet në nenin 90 të Kushtetuta e Kosovës.

Sipas këtij interpretimi, kompetencat e presidentit do t’i kalonin për një periudhë deri gjashtë muaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, edhe pse Neni 90 i Kushtetutës flet në mënyrë eksplicite vetëm për rastet e Mungesës së Përkohshme të Presidentit, jo për rastet kur presidenti i ri nuk është zgjedhur.

Neni 90 specifikon se në rast të mungesës së përkohshme, presidenti mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ai/ajo mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to”, thuhet specifikisht në Nenin 90, paragrafin 1 të Kushtetutës.

Ngjashëm kishte ndodhur me rastin e dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi në vitin 2020 dhe kalimit të kompetencave te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, asokohe Vjosa Osmani.

Në situatën aktuale, a do të duhej që presidentja në largim Vjosa Osmani të nxjerrë urdhër për bartjen e detyrave të postit të presidentit te kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk ka asnjë dilemë se Neni 90 i Kushtetutës vlen edhe me rastin e përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani nuk paraqet situatë të paprecedentë.

Në një intervistë për Paparacin, Hasani tha se në rastin konkret bëhet fjalë për një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, një çështje që është sqaruar nga aktgjykimi i vitit 2011 pas largimit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.

“Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behxhet Pacolli”, tha Hasani. “Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ngjitet një nivel më lart të ndërtesës së Kuvendit dhe nis ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të shefit të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj, jo më shumë”.

Sipas Hasanit, në këto rrethana nuk nevojitet as votim në Kuvend dhe as ndonjë autorizim nga presidentja në largim.

Ai shtoi se kalimi i kompetencave te kryetarja e Kuvendit bëhet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, praktika e njëjtë është ndjekur edhe në rastet e mëhershme, si pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, kur ushtrimin e detyrës e mori kryetarja e Kuvendit, asokohe Vjosa Osmani.

Më poshtë intervista e plotë:

PAPARACI: A mund të na e sqaroni nenin 90 (Mungesa e Përkohshme e Presidentit) të Kushtetutës së Kosovës?

HASANI: Patjetër. Ky nen flet për mungesën e përkohshme të Presidentit të Republikës si pasojë e pamundësisë objektive të tij/saj për të ushtruar funksionin e shefit të shtetit.

Ky funksion mund të ushtrohet më së shumti për gjashtë muaj.

Pamundësia objektive mund të jetë e natyrës së tillë që vetë Presidenti i Republikës, në mënyrë vullnetare, të autorizojë ushtrimin e përkohshëm të detyrave të shefit të shtetit te Kryetari i Kuvendit.

Por ky nen rregullon edhe situatat kur duhet të vlerësohet, përmes mjekëve, nëse Presidenti i Republikës është në gjendje të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë e tij si shef i shtetit, duke marrë parasysh vlerësimin e tyre. Nëse mjekët konstatojnë paaftësi të shkallës së rëndë, atëherë Kuvendi, me dy të tretat e votave, vendos për kalimin e përgjegjësive te Kryetari i Kuvendit.

PAPARACI: Në rastin e Vjosa Osmanit, pas përfundimit të mandatit më 5 prill, a duhet urdhër nga Osmani që të kalohen përgjegjësitë te Albulena Haxhiu (kryetare e Kuvendit), apo automatikisht Haxhiu bëhet ushtruese e detyrës së Presidentes?

HASANI: Nuk ka nevojë për asnjë urdhër, sepse zonja Osmani, pas skadimit të mandatit, nuk mund të bartë të drejta dhe autorizime shtetërore te funksionarë të tjerë, për shkak se vetë nuk i posedon më ato.

Rregulli bazik në të drejtën është se nuk mund t’u bartësh të drejta dhe autorizime të tjerëve nëse vetë nuk i posedon ato.

Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behxhet Pacolli.

Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ngjitet një nivel më lart të ndërtesës së Kuvendit dhe nis ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të shefit të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj, jo më shumë.

Aktgjykimi në fjalë e sqaron në detaje se cilat janë të drejtat dhe përgjegjësitë e Kryetarit të Kuvendit si ushtrues i përkohshëm i detyrës së shefit të shtetit.

Nëse mbahen zgjedhjet, atëherë, pas certifikimit të tyre dhe konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri, sepse pika e parë e rendit të ditës së legjislaturës së re duhet të jetë zgjedhja e Presidentit të Republikës.

PAPARACI: Nëse duhet urdhër dhe Osmani nuk e lëshon, a veprohet me 2/3 e votave në Kuvend?

HASANI: Siç e sqarova, nuk nevojitet asnjë urdhër nga zonja Osmani.

Po ashtu, nuk ka fare nevojë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Votimi me dy të tretat parashihet vetëm për situatat kur Presidenti në detyrë sëmuret rëndë dhe kjo konstatohet nga mjekët specialistë të fushës.

Zonja Osmani, për fat të mirë, është shëndosh e mirë dhe është në përfundim të mandatit të rregullt pesëvjeçar.

Ajo nuk ka asnjë autorizim në çështjen e ushtruesit të detyrës së shefit të shtetit.

Bartja e përgjegjësive te zonja Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit, bëhet automatikisht, në bazë të rendit kushtetues dhe interpretimit të dhënë nga aktgjykimi i përmendur më sipër.

Sikundër dihet, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në bazë të nenit 116.1 të Kushtetutës, janë të detyrueshme për të gjithë.

PAPARACI: Apo, në këtë situatë nuk vlen fare ky nen, pasi Osmanit i mbaron mandati dhe në këtë rast kemi të bëjmë me mungesë të përhershme (vakancë) dhe Osmani nuk ka mandat të lëshojë ndonjë urdhër?

HASANI: Në këtë rast nuk bëhet fjalë për mungesë të përhershme.

Siç e sqarova, këtu bëhet fjalë për mungesë të përkohshme si pasojë e mbarimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës dhe kjo mbulohet në tërësi nga aktgjykimi i sipërcekur, i cili i referohet çdo situate kur vendi mbetet pa shef të shtetit.

Në asnjë situatë zonja Osmani nuk mund të autorizojë ushtrimin e përkohshëm të detyrave të Presidentit të Republikës, për faktin e thjeshtë se pas datës 5 prill 2026 ajo vetë nuk posedon më të drejta dhe përgjegjësi të tilla si shefe e shtetit.

Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi në fjalë ia japin këtë të drejtë në mënyrë automatike zonjës Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

PAPARACI: Na sqaroni, ju lutem, edhe rastin e vitit 2020 kur Thaçi dha dorëheqje dhe Osmani u bë ushtruese e detyrës së Presidentes, si dhe nëse kanë ndërlidhje këto situata.

HASANI: Pikërisht situata në fjalë me zotin Thaçi, si dhe ajo me zotin Jakup Krasniqi, janë 100 për qind të njëjta me situatën në të cilën Kosova hyn automatikisht më 5 prill 2026.

Nuk ka nevojë për asnjë pranim-dorëzim apo ceremoni.

Thjesht lirohet zyra e Presidentit të Republikës dhe, në atë moment, nis ushtrimin e përgjegjësive të shefit të shtetit Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Në të gjitha rastet bëhet fjalë për mbetjen vakant të pozitës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe vlen neni 90, ashtu siç është interpretuar nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Asnjë dispozitë e Kushtetutës, pra as neni 90, nuk mund të interpretohet jashtë asaj që thonë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat interpretojnë dhe qartësojnë mënyrën e ushtrimit të përkohshëm të detyrës së Presidentit dhe dispozitat e tjera kushtetuese që lidhen me këtë çështje. /Paparaci.com