Sot shënohet 27-vjetori i vrasjes së 86 civilëve shqiptarë në Kralan të Gjakovës, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Më 2 prill 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe ndaluan një grup prej rreth 1500 shqiptarësh që kishin lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës së përhapur në gjithë vendin. Nga ky grup, u ndanë qindra djem dhe burra, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit u detyruan të largoheshin drejt Shqipërisë.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, një pjesë e burrave dhe djemve që mbaheshin në një livadh të rrethuar me tanke, pa ushqim dhe pa ujë, u liruan. Megjithatë, 86 prej tyre, përfshirë edhe 11 të mitur, u mbajtën të ndaluar. Që nga ajo ditë, asnjëri prej tyre nuk është parë më i gjallë.
Për këtë krim, në dhjetor të vitit 2014, kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa”, Arifete Bytyqi, i kishte drejtuar një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, duke kërkuar hetimin e vrasjes së 86 civilëve.
Në emër të familjarëve të viktimave, ajo kishte theksuar se, edhe pas shumë vitesh, askush nga përgjegjësit për këtë masakër nuk është vënë para drejtësisë.










