Real Madrid pritet të jetë shumë aktiv gjatë merkatos së verës, ku përveç transferimeve “big”, klubi madrilen do t’i kushtojë një vëmendje të veçante talenteve të reja, ashtu siç ka bërë vazhdimisht në fakt në vitet e fundit. Njëri prej tyre që është në listën e drejtuesve të “Los Blancos” quhet Kennet Eichhorn, 16 vjeç dhe është pjesë e Hertha Berlin në Bundesliga 2.
“Defensa Central” zbulon se Kennet Eichhorn është vëzhguar prej dia kohësh nga skautët e Real Madridit dhe përfundimi për të ka qenë pozitiv. I konsideruar në Gjermani si “Toni Kroos i ri”, Eichhorn tashmë është një ndër objektivat e Real Madridit.
Duke qenë të vetëdijshëm se vlera e tij në treg do rritet ndjeshëm, klubi madrilen do të tentojë të blejë kartonin e tij që në verën e ardhshme dhe më pas kur lojtari të jetë 18 vjeç, do të bëhet pjesë e ekipit të parë të “Los Blancos”, bën të ditur “Defensa Central”.
Vlera në treg e 16-vjeçarit llogaritet 20 milionë euro, e njëjta shifër që kërkon edhe Hertha Berlin. Megjithatë, vlera e lojtarit do të ndryshojë ndjeshëm në rast se sezonin e ri do të luajë në Bundesligë, ashtu siç janë gjasat më të mëdha. Pra, sipas raportimit në fjalë, Real Madrid do të blejë kartonin e tij këtë verë dhe më pas mund të qëndrojë i huazuar te Hertha Berlin ose në ndonjë ekip tjetër por që të ketë mundësinë të luajë në Bundesligë, për të fituar më shumë përvojë.
The post “20 milionë euro, kaq do t’i kushtojë Real Madridit ‘Toni Kroos i ri'” appeared first on Telesport.










