Tentim kontrabande në Ferizaj, sekuestrohen produkte mjekësore në vlerë mbi 26 mijë euro

Dogana e Kosovës në zyrën doganore të brendshme në Ferizaj, gjatë një kontrolli rutinë ka identifikuar një rast të tentimit për futje të mallrave të padeklaruara.

Gjatë kontrollit të maunes, një person fizik, shtetas i huaj, është vërejtur duke nxjerrë dy pako nga kabina e një mjeti transportues, i cili ishte në procedurë doganore.

Pas kontrollit fizik të pakove, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se në to ndodheshin gjithsej 896 copë produkte të llojit “MOSPORT 500”, të cilat përdoren për trajtime mjekësore.

“Gjatë verifikimeve shtesë është konstatuar se plumbat doganorë dhe litari sigurues i mjetit nuk kishin dëmtime, ndërsa mjeti ka qenë nën mbikëqyrje doganore gjatë gjithë kohës”, njofton Dogana.

Tutje thuhet se sipas vlerësimit nga njësitë përkatëse, vlera e përgjithshme e mallit të padeklaruar është rreth 26,700.80 euro.

“Dogana e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm të mallit dhe procedimin e mëtejmë të rastit në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, duke parandaluar futjen në treg të produkteve të padeklaruara dhe potencialisht të rrezikshme”, thuhet më tej.