“Shuplaka e grushte” – detaje nga rasti në Deçan, 11-vjeçari u fut në një ‘Range Rover’

Një fëmijë 11-vjeçar është rrahur me shuplaka e grushte nga prindi i një bashkëmoshatari të tij në oborrin e një shkolle në komunën e Deçanit.

I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërkaq i mituri ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Mjekësore Familjare në Deçan.

Paparaci ka siguruar detaje ekskluzive nga rasti.

E gjithë ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës, më 30 mars.

R.A – viktima e këtij rasti, i moshës 11-vjeçar, ishte ndaluar nga i dyshuari derisa po futej në oborrin e shkollës ku ai vijon mësimet në klasën e gjashtë.

Siç thuhet në raportin e Policisë të cilin e ka siguruar ekskluzivisht Paparaci, i dyshuari me inicialet B.H e kishte goditur tri ose katër herë me shuplak të miturin A.H, dhe më pas edhe njëherë tjetër me grusht në fytyrë.

Sipas rrëfimit të 11-vjeçarit, i dyshuari më pas e kishte kapur për fyti dhe e kishte futur në veturën e tij të tipit “Range Rover”.

Duke shkuar në shkollë së bashku me shokun e tij S.A, 12-vjeçar, rreth orës 07:55 me të arritur në afërsi të oborrit të shkollës aty në rrugë me një veturë të tipit “Range Rover” e  kishte ndaluar personi – babai i nxënësit A.H, nxënës në shkollën e njëjtë. Sipas viktimës, ai e ka goditur tri apo katër herë me shuplaka dhe njëherë me grusht dhe më pas e ka kapur për fyti dhe e ka futur në veturë“, thuhet në raportin e Policisë.

Ngjarja nuk përfundon këtu.

Pas shuplakave e grushteve, B.H e kishte e goditur edhe njëherë tjetër me shuplak dhe duke e tërhequr për xhakete e kishte futur në korridor të shkollës.

E gjithë dhuna ndaj viktimës 11-vjeçar ishte ndërprerë pas ndërhyrjes së arsimtarit të matematikës, i cili fatmirësisht kishte qëlluar në korridorin e shkollës.

Me veturë e kishte dërguar në hyrje të shkollës dhe me të zbritur nga vetura B.H e kishte goditur edhe njëherë tjetër me shuplak në fytyrë dhe pastaj duke e tërhequr për xhakete e kishte futur në korridor të shkollës ku më pas kishte dalë arsimtari i matematikës P.A, i cili kishte ndërhyrë për ta ndalë sulmin“, tregohet në raportin e Policisë.

Motivi i kësaj ngjarje dyshohet të jetë një konflikt verbal i disa muajve më parë, mes viktimës dhe djalit të të dyshuarit.

Siç ka rrëfyer 11-vjeçari, ai ishte përplasur vetëm me fjalë me djalin e të dyshuarit muaj më parë, ndërsa që nga ajo kohë nuk kishin pasur më probleme.

Në Polici, i dyshuari B.H kishte vendosur që të mbrohej në heshtje, ndërsa me urdhër të Prokurorit është ndaluar për 48 orë.