Tifozëllëku patetik në euforinë kosovare

Fjala “cringe” nga gjuha angleze është e vështirë të përthekohet a të përkthehet vetëm në një fjalë tjetër në gjuhën shqipe.

Në kuptimin e parë është patetizëm.

Pastaj mund të përdoret edhe për sikletin e gjërat qesharake.

Fjalori i Universitetit të Cambridge e shpjegon më së miri kuptimin që merr fjala “cringe” në zallamahinë kosovare.

Cambridge fjalën “cringe” si mbiemër në gjuhën angleze e përthekon me shpjegimin për diçka shumë turpëruese, ose për ndonjë veprim që duket shumë qesharak.

Dhe nuk ka moment më të mirë për shfaqjen e “cringe” sesa në ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës. Bash këtu dalin në sipërfaqe njerëz që nuk thonë asnjë fjalë për ekipin, ama në ditën e ndeshjes shfaqin dashurinë e tyre të madhe. E siç ndodh rëndom, pas humbjes, shfaqin një fytyrë krejt tjetër të tyre.

“Cringe” në realitetin kosovar është që turravrap të kapin ndonjë “like” nën euforinë e turmës para lojës dhe pastaj edhe në ngushëllimin pas humbjes.

Një prej momenteve virale të “cringe” ishte ajo e aktivistit të shoqërisë civile, Ismet Kryeziu.

Videoja e Kryeziut teksa shihej me lot në sy e në prapaskenë një i afërm i tij tek e ngushëllonte me komente qesharake.

“He more burr sha po kan’ kena hup, sha kena me ba, krejt budall je a”, dëgjohej një zë burri teksa Kryeziu edhe dëneste.

Kryeziu pas videos virale të tij kërkoi falje.

“Ishte moment i rëndë për mua, një moment ku emocionet më pushtuan plotësisht”, ka shkruar veç të tjerash ai.

Mirëpo, Kryeziu pak para humbjes, kishte pirë raki rrushi në një restorant në Prizren. E herët kishte filluar të festonte, siç e ka shkruar edhe vetë, për fitoren e Kosovës.

“Ne Paganet e Prizrenit me raki rrushi PAGANUS, kemi filluar heret ta festojme fitoren”, ka shkruar Kryeziu të martën gjatë ditës.

Këtij patetizmi apo “cringe” nuk ka se si të mos i bashkohen politikanët, prej presidentes Vjosa Osmani e deri te liderët e partive politike që shihen nëpër ulëset më komode të stadiumit e tek-tuk duken sikur i dinë këngë e i këndojnë ato ndërdhembë. Mbase, po t’i pyesësh, nuk e dinë as njëmbëdhjetëshen e kombëtares.

Presidentja Vjosa Osmani vendosi t’i nderonte me medalje presidenciale lojtarët e kombëtares së Kosovës. Ata ende pa u këndellur mirë nga humbja që pësuan nga Turqia, i shkuan në zyrë presidentes për të marrë këtë medalje. Në fotografinë ceremoniale të gjithë buzëvarur e të pikëlluar nga e mbrëmshmja, presidentja shihet e buzëqeshur. Këtë vendim, Osmani ka mundur ta zyrtarizonte më herët ose edhe më vonë, kur humbja do të dukej ngjarje më e largët.

“Ekipi i Kombëtares sonë në futboll, me zemër dhe shpirt të pathyeshëm, e ngritën Kosovën në majat e krenarisë, ndaj sot me Medaljen Presidenciale të Meritave u kurorëzuan me nderimin dhe respektin e një populli që është dhe do të jetë gjithnjë krenar me ta”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook të mërkurën.

“Përkundër rezultatit të mbrëmshëm, ata i dhanë gjithë kombit tonë diçka edhe më të vlefshme: shpresë. Për këtë përfaqësim të denjë, mirënjohja jonë për ekipin dardan do të rrojë përgjithmonë”, ka shkruar ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë para ndeshjes u shkoi edhe në hotelin ku po qëndronin lojtarët e përfaqësueses. Pak para ndeshjes postoi fotografi të takimit me lojtarët dhe shkroi se gjithçka e shqiptarëve ishte në stadium.

“Gjithçka e jona është sonte në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Drejt Fitores, drejt Botërorit, drejt realizimit të ëndrrës”, ka shkruar të martën Kurti.

Të mërkurën, Kurti foli në shumës kur tha se “tani na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy…”.

“Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”. Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”, ka shkruar Kurti në Facebook, e i cili jo më larg se në petkun e opozitarit të zëshëm ishte pesimist për sukseset e Kosovës tek bënte thirrje për një kombëtare.

“Duhet një kombëtare, nuk besoj në rezultatet e mëdha të Kosovës”, kishte thënë Kurti në një intervistë për RTV21 në vitin 2016.