Pas njoftimit të Tottenham për mbërritjen e Roberto De Zerbi, trajneri i ri i Spurs ndau komentet e tij të para pas rikthimit në Premier League. Ai do të jetë trajneri i tretë që drejton londinezët këtë sezon.
“Jam i kënaqur që po bashkohem me këtë klub fantastik futbolli, një nga më të mëdhenjtë dhe më prestigjiozët në botë”, tha De Zerbi, që më parë ka drejtuar Brighton në Angli.
“Në të gjitha bisedat e mia me drejtuesit e klubit, ambicia e tyre për të ardhmen ka qenë e qartë. Duam të ndërtojnë një ekip të aftë për të arritur gjëra të mëdha dhe ta bëjnë këtë duke luajtur futboll që i emocionon dhe frymëzon tifozët tanë”, shtoi italiani.
Më tej, De Zerbi komentoi për zgjedhjen e bërë: “Jam këtu sepse besoj në këtë ambicie dhe kam nënshkruar një kontratë afatgjatë për të dhënë gjithçka nga vetja dhe për të ndihmuar në arritjen e saj”
“Prioriteti ynë afatshkurtër është të ngjitemi në tabelën e Premier League dhe ky do të jetë fokusi ynë kryesor deri në fishkëllimën e fundit të sezonit. Mezi pres të kthehem në fushë për stërvitje dhe të punoj me këta lojtarë për të arritur këtë qëllim“, tha De Zerbi.
The post De Zerbi: Të ngjitim shkallët në Premier dhe të ndërtojmë një ekip fitues për të ardhmen appeared first on Telesport.









