Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me një mesazh motivues para ndeshjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte nga ora 20:45.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka theksuar rrugëtimin e vështirë të Kosovës si shtet dhe si komb, duke e lidhur atë me paraqitjen e “Dardanëve” në fushë.
“Kosova ka lindur mes vështirësive e sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë”, ka shkruar ajo.
Presidentja i ka cilësuar futbollistët si simbol të qëndresës, guximit dhe shpresës, duke u dërguar një mesazh të qartë mbështetjeje para sfidës më të rëndësishme të viteve të fundit.
“Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët”, thuhet në mesazhin e saj.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë është vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, me fituesin që siguron një vend në turneun më të madh të futbollit botëror.










