Gjykata Supreme e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, i cili vendosi për paraburgimin e tre shtetasve të Shqipërisë të kapur me një milion euro kesh në Merdarë muajin e kaluar.
Supremja ka anuluar vendimin e Apelit duke vendosur në favor të të akuzuarve, të cilët përmes avokatëve mbrojtës kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme.
“Duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.1.S.nr.68/2026 të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, të anulojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, në të njëjtën gjykatë”, tha Gjykata.
Saga me masën e sigurisë ndaj të dyshuarve kishte nisur që më 27 shkurt, tri ditë para se furgoni me një milion euro kesh të padeklaruara ishte kapur duke hyrë në Kosovë në pikëkalimin kufitar të Merdarës.
Gjykata Themelore ia kishte refuzuar Prokurorisë Speciale kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve me arsyen se prokurorja Shenaj Berisha, në kërkesën e saj, nuk kishte prezantuar prova që mbështesnin bazën e dyshimit.
Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën, por në rivendosje Themelorja sërish e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale duke i lënë të lirë tre të dyshuarit.
Prokuroria Speciale përfaqësohet në këtë rast nga prokurorja Shenaj Berisha. Ndërsa gjyqtar në procedurën paraprake është gjyqtari i Departamentit Speciale, Leon Përlaska.
Kryetare e Kolegjit në Gjykatën e Apelit, që vendosi për ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, është gjyqtarja Afërdita Bytyçi.
Aurel Kaziu, Ardit Laskaj dhe Ardit Ahmaxhokaj ishin arrestuar nga policët kufitarë më 24 shkurt pasi doganierët në pikëkalimin kufitarë të Merdarës i kishin gjetur një milion euro kesh të padeklaruara në një furgon me të cilin po udhëtonin ata.










