“Skaneri” përmes statistikave i Kosovë-Turqi, finales që vlen Botërorin 2026

Sonte në “Fadil Vokrri”, Kosova dhe Turqia do të përballen në një finale dramatike “play off”-i për një vend në Botërorin 2026. Të dyja kombëtaret kanë gati formacionet e tyre më të forta, teksa statistikat tregojnë një duel që pritet të jetë intensiv taktiko-mentalisht dhe fizikisht.

Duke iu referuar sajtit të njohur të statistikave, por jo vetëm, “Sofascore”, formacionet e pritshme flasin për Kosovën me mesatare moshe 26.9 vjeç, ndërsa ai i Turqisë me mesatare po aq, 26.9 vjeç. Kosova ka një mesatare vlerësimi prej 6.90, me lojtarët më të lartë të rankuar F.Asllani (6.93) dhe V.Muriqi (6.93). Turqia ka një mesatare 7.00, ku H.Çalhanoğlu (7.83) dhe K.Yıldız (7.48) shfaqen si liderët e performancës.

Sa i përket vlerës së tregut të lojtarëve të pritshëm startues, Kosova llogaritet 76.6 milionë € total, ndërsa Turqia 287.8 milionë € total. Diferenca e dukshme tregon avantazh financiar dhe përvojë më të madhe për Turqinë, por futbolli shpesh sjell surpriza në fushë.

Përballjet direkte tregojnë se Turqia ka fituar 3 nga 3 ndeshjet e fundit kundër Kosovës. Kuotat e basteve luhaten përfërsisht në këto nivele: Kosova 3.80, barazimi 3.50, Turqia 1.90. Edhe këtu reflektohet favorizimi i Turqisë nga ekspertët e parashikimeve. Nëse ndalemi tek aspektet taktike, Kosova pritet të mbajë një qasje kompakte 4-4-2, duke u mbështetur në kundërsulme dhe aksionet e shpejta të Muriqit dhe Asllanit.

Turqia do të dominojë mesfushën me Çalhanoğlu, Güler dhe Yıldız, duke kërkuar hapësira pas mbrojtjes së Kosovës dhe të gjenerojë shpejtësi në krahë. Michael Oliver nga Anglia do ta gjykojë ndeshjen, me një mesatare kartonash: 0.08 karton i kuq dhe 3.49 i verdhë. Ai ka reputacion për drejtësi dhe kontroll të fortë të lojës.

Kosovë-Turqi pritet të jetë një duel emocional dhe fizik. Turqia ka më shumë eksperiencë dhe vlerë tregu, ndërsa Kosova mbështetet te pasioni, mbrojtja kompakte dhe aksionet e shpejta. Faktorët vendimtarë do të jenë efektiviteti para portës dhe menaxhimi i presionit në momentet kyçe.

 

The post “Skaneri” përmes statistikave i Kosovë-Turqi, finales që vlen Botërorin 2026 appeared first on Telesport.