Prokuroria Speciale e ka urdhëruar Policinë e Kosovës që “urgjentisht” të mbledh informata dhe provave relevante lidhur me Shkëlzen Gashin, autorin e një ekspozite me pasaktësi për masakrat gjatë luftës në Kosovë.
Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, bashkëpunëtor dhe mik i Shkëlzen Gashit tha se një njësit policor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda po kryen bastisje në banesën e Gashit, me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe publikoi në Facebook urdhrin e Prokurorisë.
“Sipas provave materiale dhe raportimeve të publikuara në media nga ana e të dëmtuarve në masakrën e Dubravës, dhe masakrat tjera të ndodhura në Kosovë, e po ashtu edhe nga raportimet e qytetarëve, të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe viktima të këtyre masakrave, Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mos durim me qytetarëve tanë duke dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, e që konsiderohet se me këto veprime i dyshuari ka përmbushur elementet e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 të KPK-së.
Andaj, Prokurori i shtetit me qëllim të sqarimit të plotë të gjendjes faktike dhe sigurimit të provave tjera në këtë rast penal, AUTORIZON Zyrtarët policor, nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, që të ndërmarrin MENJËHER të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen informatave dhe provave relevante duke e sqaruar se cila ka qenë arsyeja e veprimeve të dyshuarit, si dhe të sigurojnë edhe prova tjera në bazë të cilave pastaj do të vendoset për veprimet e mëtutjeshme”, thuhet në urdhrin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka kërkuar “në veçanti” që “të sigurohet menjëherë prezenca e të dyshuarit Shkëlzen Gashi”.
Në urdhëresë thuhet se ai “do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit duke sqaruar veprimet e tij, dhe nga i ka siguruar burimet e informatave të cilat edhe i ka publikuar e të cilat duket të jenë të pavërteta”.
“Pas mbledhjes së informatave dhe provave relevante, dhe pas analizimit të tyre, autorizoheni që në konsultimin me Prokurorin e rastit, të merren në pyetje dëshmitar potencial, i dëmtuari si dhe të dyshuarin/t tjerë, e po ashtu të ndërmerren edhe veprime tjera me qëllim të hetimit të suksesshëm të kësaj çështje penale-juridike. Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, duke u bazuar në nenin 83 par. 3 të KPRK-së, obligoheni që prokurorit të çështjes t’i paraqitni raport me shkrim lidhur me veprimet e ndërmarra, brenda një afati sa më të shkurtër kohor”, thuhet në urdhrin e Prokurorisë Speciale.
Integra dhe Admovere, dy organizatat autore të ekspozitës me pasaktësi për masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kanë kërkuar falje në një reagim të dielën në mëngjes.
Dy organizatat që drejtohen nga Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi bënë bërë thirrje për “diskutim të hapur” për ta adresuar këtë çështje.
Ekspozita, e cila ngjalli indinjatë të gjerë në Kosovë, me Komunën e Prishtinës që e revokoi lejen për shfaqjen e saj, doli se ishte financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Për këtë, sot para Kuvendit pati një protestë, e organizuar nga organizatat e kategorive të dala nga lufta në Kosovë.
Shkëlzen Gashi tha të shtunën se për të dhënat e masakrave ishin mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut.
Por Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një reagim po atë ditë se të dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë të krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.










