Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri pritet të fillojnë këtë javë, sipas një paralajmërimi të kryeministrit Albin Kurti.
Shefi i qeverisë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes tha sot se diskutimet mes subjekteve politike për çështjen e presidentit janë shtyrë për shkak të vizitës së tij në Francë në fund të javës së shkuar.
Në një konferencë për media të hënën, Kurti tha se do t’u dërgojë ftesa për takime kryetarëve të partive opozitare.
“Prandaj, unë nuk e kisha kohën e mjaftueshme që t’i bëjë konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme. Padyshim që do të bëjë ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj unë nuk besoj që është mirë të jemi vetëm 80 apo 81. Duhet të jemi rreth 84-85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty”, tha Kurti.
Në këtë fazë të zhvillimeve, ai nuk zbuloi ofertat e kërkesat që do të ketë për partitë opozitare për çështjen e presidentit.
“Për këtë do të bëjë edhe ftesa, e do të zhvillojmë edhe takime por çfarë oferta e kërkesa do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime”, u shpreh Kurti.









