Kurti: Jemi të gatshëm të marrim pjesë në Gaza si forcë stabilizuese ndërkombëtare

Kryeministri i Albin Kurti ka deklaruar se vendi është i gatshëm të kontribuojë në misione ndërkombëtare në Gaza, si pjesë e një force stabilizuese me karakter ndërkombëtar.

Ai rikujtoi se në fund të janarit 2025, qeveria ka ndarë 500 mijë euro për popullin palestinez në Gaza, si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje humanitare.

Sipas tij, aktualisht është në rend dite një propozim-vendim i përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës miratimi për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision.

Kryeministri theksoi se gjatë vitit të kaluar, ministri Maqedonci dhe komandanti Jashari kishin kërkuar leje për të marrë pjesë në një konferencë në Doha të Katarit, e cila kishte në fokus krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese për Gazën.

Ai vlerësoi lart kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se ajo ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar në fusha të rëndësishme si kërkim-shpëtimi dhe deminimi, si dhe në operacione të tjera të sigurisë.

“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese ndërkombëtare për popullin e Gazës, edhe për faktin se ne vetë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi përfitues të pranisë së forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”, ka deklaruar Kurti./Telegrafi