Modrić, ndër kuqezinjtë më optimistë për përmbysjen e Interit dhe fitimin e titullit në Serie A

Luka Modrić nuk e ka humbur objektivin nga sytë. Kur zgjodhi Milanin, e bëri me një ide të qartë; të vazhdojë të fitojë dhe ta pasurojë karrierën tashmë të jashtëzakonshme. Edhe sot, pavarësisht një kalendari të vështirë dhe diferencës me Interin kryesues, mesfushori kroat, shkruan “MilanNews”, mbetet ndër më të bindurit në dhomat e zhveshjes kuqezi se përmbysja për titull është ende e mundur.

Para se të rikthehet te Milani, Modrić ka një angazhim të rëndësishëm me kombëtaren e tij. Të martën në mbrëmje do të jetë protagonist në sfidën kundër Brazilit, një ndeshje shumë tërheqëse edhe për praninë në stol të Carlo Ancelottit, figurë shumë e lidhur me mesfushorin. Sipas planeve me trajnerin, Modrić do të qëndrojë në fushë rreth një orë, për të menaxhuar energjitë, pa hequr dorë nga spektakli i pritur edhe nga publiku amerikan.

Pas përfundimit të detyrimeve ndërkombëtare, kroati do të rikthehet në Milano të enjten, ku do të nisë përgatitjet për një fund sezoni intensiv. Në horizont është transferta në Napoli, ndeshje kyçe për ambiciet kuqezi. Modrić e njeh mirë stadiumin “Maradona”, ku ka marrë rezultate pozitive në Champions League, një precedent që Milani shpreson ta përsërisë.

 

The post Modrić, ndër kuqezinjtë më optimistë për përmbysjen e Interit dhe fitimin e titullit në Serie A appeared first on Telesport.