Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zjenullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me veprimet që ka marrë ky organ i akuzës pas shembjes së dheut në një lagje të Prishtinës.
Gashi ka thënë se deri më tash është autorizuar policia, si dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë punëkryese “Klub Invest”.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informatave nëse ka elemente të veprës penale.
“Kemi marrë veprime menjëherë. Është autorizuar Policia dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Pas intervistimit, ai është liruar, derisa jemi në fazën e grumbullimit të informatave të plota për rastin”, ka thënë Gashi për Klankosova.tv.
Ai ka thënë se hetimet do të zgjerohen edhe në pista tjera, duke mospërjashtuar as zyrtarët komunalë, nëse sipas tij, vërehet se dikush prej tyre ka pasur përgjegjësi mbikëqyrëse.
Ndërkaq, lidhur me rastin është deklaruar edhe Komuna e Prishtinës.
Komuna thotë se janë ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët”.
“Ju njoftojmë se rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është shembur plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS, Ujësjellësit dhe Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Qytetarëve u është kërkuar që ta shmangin këtë rrugë dhe t’i ndjekin udhëzimet në terren.
“Rruga është e bllokuar për qarkullim. Lusim qytetarët që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren. Për çdo informacion shtesë, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Komunës.










