Akuza e rëndë e Bujar Haradinajt: Grupet e interesit e kanë kapur AAK-në në Gjakovë

Në një postim në Facebook, Bujar Haradinaj ka kritikuar procesin e rihapjes së zgjedhjeve të brendshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë, duke e cilësuar atë si një përsëritje të praktikave të vjetra me të njëjtët njerëz në role të ndryshme.

Ai ka theksuar se për vite me radhë, sipas tij, partia në këtë degë është ndikuar nga grupe interesi, duke lënë në hije kontributdhënësit e hershëm dhe duke promovuar persona pa kontribut real në pozita vendimmarrëse.

Në reagimin e tij, ai është shprehur se nuk është kundër prurjeve të reja, por ka ngritur shqetësimin se përjashtimi i figurave me përvojë dhe përdorimi i të rinjve nga grupe të caktuara nuk përbën reformë, por manipulim.

Ai ka shtuar se zgjedhjet e brendshme duhet të jenë garë e drejtë, me hapje reale dhe vlerësim të meritës, duke paralajmëruar se mungesa e drejtësisë për kontributdhënësit dëmton besimin dhe unitetin brenda partisë.