Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar pas paraqitjes së të dhënave skandaloze lidhur me masakrat gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat u shfaqën në një ekspozitë në sheshin e Prishtinës, të organizuar nga Shkëlzen Gashi.
AKB përmes një reagimi ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet.
“Historia e Kosovës nuk rishkruhet me sponsorizime dhe as me Ekspozita publike.
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe Integra, prek një nga plagët më të rënda të vendit tonë. Çdo përpjekje për të relativizuar, zbutur apo selektuar të vërtetën e këtyre krimeve është e papranueshme dhe fyese për viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
AKB ka vlerësuar se financimi i kësaj ekspozite nga Kuvendi i Kosovës përbën një keqpërdorim të taksave të qytetarëve.
Gjithashtu në reagimin e tyre ata kanë kërkuar nga bizneset financuese të kësaj ekspozite që të kërkojnë falje.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson se përfshirja e Kuvendi i Republikës së Kosovës në financimin e kësaj ekspozite mund të përbëjë keqpërdorim të taksave të qytetarëve të Kosovës, nëse përmbajtja e saj devijon nga e vërteta historike dhe relativizon krimet e dokumentuara të luftës. Po ashtu, kompanitë sponsorizuese që kanë mbështetur këtë aktivitet – EXFIS, Libraria Dukagjini, JYSK, KFC, si dhe organizatat Cultural Heritage without Borders dhe Besa-Besë – duhet të reflektojnë seriozisht për rolin e tyre dhe të kërkojnë falje publikut kosovar nëse kjo iniciativë perceptohet si devijim nga e vërteta historike”, thuhet në reagimin e tyre.
Aleanca e Bizneseve ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Prokuroria lidhur me të dhënat e pasakta për luftën e fundit në Kosovë.
“Mbështetja e iniciativave që relativizojnë ose deformojnë të vërtetën historike i vendos këto subjekte përballë përgjegjësisë morale dhe publike. Ato duhet të ndjejnë përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës, para familjeve të viktimave dhe para historisë. Masakrat e viteve 1998–1999 nuk janë çështje interpretimi – ato janë krime të dokumentuara dhe të dëshmuara me gjak dhe sakrificë. Në këtë kontekst, AKB kërkon që Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës të shqyrtojë këtë rast dhe të vlerësojë nëse ka elemente të keqpërdorimit të mjeteve publike dhe nëse përmes këtyre aktiviteteve po tentohet të deformohet e vërteta historike e Kosovës. AKB kërkon përgjegjësi të plotë kush e financoi këtë ekspozitë, cili ishte qëllimi i saj dhe pse po tentohet të ndryshohet narrativa për krimet e luftës në Kosovë. Në të kundërtën, reagimi qytetar, i komunitetit të biznesit dhe i konsumatorëve do të jetë i pashmangshëm, deri në bojkotimin e produkteve dhe shërbimeve të kompanive sponsorizuese. E vërteta nuk negociohet. Historia nuk tjetërsohet,mos harroni sponzorues”, thuhet në reagim.










