Kampioni i botës Alessandro Nesta, i intervistuar nga “Sky Sport”, komentoi fitoren e Italisë ndaj Irlandës së Veriut, duke analizuar performancën e skuadrës së Gattuso dhe tensionet për shkak të rëndësisë së ndeshjes. Ai tha: “U shqetësova edhe unë në pjesën e parë. Nëse dalin në pah vlerat, nuk ka ndeshje të pamundur me asnjë kombëtare në ‘play off’.
Problemi është presioni që sjell fanella e Italisë, më i madh se për shembull ai i Bosnjës apo Irlandës së Veriut. Menaxhimi i pjesës së parë ishte pasojë e tensionit të axurrëve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që akoma është e vështirë, në Bosnjë do të jetë edhe më e vështirë. Na pret një ambient shumë i nxehtë, me një kundërshtar që ka vlera më të larta se Irlanda”.
Për Botërorin: “Këto janë ndeshje nervash; frika se nuk shkojmë në Botëror është tashmë në mendjen tonë. Kualifikimi nuk është një arritje teknike, por gjithçka luhet me nerva. Më 2006, fitorja e Botërorit e ndihmoi futbollin italian pas ‘Calciopoli’. Sot kombëtares sonë i nevojitet më shumë se kurrë mbështetja. Nga ana individuale, një Botëror i suksesshëm ndryshon jetë dhe karriera”.
Për mikun Gattuso: “E njoh shumë mirë Rino. Ai ndjehet i rënduar dhe do bëjë gjithçka që Italia të shkojë në Botëror. E pashë të tensionuar, ka një ndjenjë përgjegjësie tepër të madhe mbi supe”.
The post Nesta: Përgjegjësi tepër e madhe, në Bosnjë do të jetë edhe më e vështirë appeared first on Telesport.










