beINSportsTurkiye shkruan për historinë e shkurtër por të suksesshme të Kosovës

Na ndajnë pesë ditë nga finalja Kosovë-Turqi, dueli i vlefshëm për kualifikim në Kupën e Botës.

Mediat në Turqi gjithnjë e më shumë po raportojnë për kombëtaren dardane.

Ka qenë mediumi beINSportsTurkiye që i ka kushtuar një artikull kombëtares së Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe FIFA e deri te ndeshja e mbrëmshme e fituar në Bratisllavë ndaj Sllovakisë.

“Kombëtarja e Turqisë do të përballet me Kosovën në finalen e play-off-it të kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës 2026. Kosova po lufton për të marrë pjesë për herë të parë në një turne të madh në historinë e saj”, nis artikulli i medias turke.

“Kosova ishte pjesë e Grupit B në eliminatoret evropiane, së bashku me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë. Ajo u mposht vetëm nga Zvicra kryesuese dhe e përfundoi grupin në vendin e dytë, duke siguruar një vend në play-off”.

“E drejtuar nga trajneri gjerman Franco Foda, i cili më parë ka drejtuar edhe Sturm Graz dhe kombëtaren e Austrisë, Kosova arriti rezultate të mira, duke e mposhtur Suedinë në të dy ndeshjet dhe duke mos pësuar gol në 4 takime”, vijon artikulli.

“Në këtë grup, Zvicra u rendit e para me 14 pikë dhe siguroi kualifikimin për Botërorin, ndërsa Kosova u rendit e dyta me 11 pikë, duke bërë një surprizë dhe duke e shtyrë ëndrrën për një turne të madh deri në mars 2026. Pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, Kosova duhej të priste deri në vitin 2016 për t’u njohur nga FIFA dhe UEFA, duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare”, shkruan beINSportsTurkiye.

Artikulli vijon duke sjellë në kujtesë dy precedentët e të kaluarës me Kosovës dhe Turqisë.

“Kosova dhe Turqia janë përballur më parë në eliminatoret e Kupës së Botës 2018”.

“Turqia fitoi 2-0 në Antalia dhe 4-1 në ndeshjen në Prishtinë. Në atë grup, Islanda ishte e para dhe Kroacia e dyta, ndërsa Turqia u rendit e katërta me 15 pikë dhe Kosova e fundit me vetëm 1 pikë”.

Fitorja historike ndaj Sllovakisë

“Në gjysmëfinalen e playoff-it, Kosova u përball me Sllovakinë, e cila kishte tërhequr vëmendjen pasi kishte mposhtur Gjermaninë 2-0 në grupe. Edhe pse ishte dy herë në disavantazh, Kosova arriti të fitonte 4-3 në udhëtim, duke realizuar një përmbysje të madhe dhe duke siguruar një vend në finalen kundër Turqisë”.

Lojtari më i mirë: Vedat Muriqi

“Sulmuesi më i mirë i Kosovës është Vedat Muriqi, i cili ka luajtur më parë për skuadra si Giresunspor, Gençlerbirligi, Rizespor dhe Fenerbahçe. 67 ndeshje me kombëtaren, 32 gola të shënuar”.

“Ndërkohë, Milot Rashica renditet i dyti me 12 gola”.

“Lojtari me më shumë paraqitje është Mërgim Vojvoda, me 72 ndeshje për kombëtaren”.

“Kosova tani është vetëm një hap larg historisë: kualifikimit të parë në një turne të madh ndërkombëtar”, përfundon artikulli i beINSportsurkiye”.