“Situata e nxehtë…” – Çitaku del nga mbledhja e PDK-së, thotë se morën një vendim

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e quajti me shaka “të nxehtë” situatën politike në vend, një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha afat shtesë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit.

Duke biseduar me gazetarë para fillimit të deklarimit të saj menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të PDK-së të enjten, Çitaku i pyeti gazetarët sesi ndiheshin.

Kur gazetarët u ankuan për motin e ftohtë, ajo ia ktheu me buzën në gaz: “Situata në Kosovë është e nxehtë..”.

Pastaj, Çitaku tha se mbledhja në PDK ka përfunduar me një vendim: thirrjen e këshillit drejtues partiak.

“Vendimi ynë sot është që do të thërrasim mbledhjen e këshillit drejtues brenda pak ditësh ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme”, tha ajo.

“Siç jemi deklaruar edhe dje, PDK i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Çitaku.

Ajo tha se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetues “nuk diskutohen asnjëherë” nga PDK-ja.