Gjendet i vdekur një person në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e tij

Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të moshuar, rreth 70 vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘Edit Durham’ në Prizren.

Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 11:36, kanë pranuar një informatë për një rast ku një person është gjetur pa shenja jete, sipas ekipit të Urgjencës.

Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së.

“Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i hetimeve rajonale, të cilët pas konsultimit me prokurorin e Shtetit kanë iniciuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminime të mëtejshme”, thotë policia.

Duke marrë parasysh se viktima është gjetur në rrugë dhe deri më tani nuk është identifikuar, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që nëse posedojnë ndonjë informacion për identitetin e viktimës, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor ose përmes numrit të kontaktit 192.