Bardhyl Hasanpapaj, jurist i afërt me presidenten në largim Vjosa Osmani, ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i nxjerrë të mërkurën ka vendosur një precedent për rastet e ardhshme.
Sipas leximit të Hasanpapajt, dekreti i nxjerrë nga Vjosa Osmani më 6 mars nuk është antikushtetues sepse “tash e tutje vet Kushtetuta dhe ky vendim e bën saktësisht atë që e ka bërë ky dekret”.
“Nga sot e tutje, sipas vendimit të GJK-së, në literaturën juridike, dekreti i Osmanit do të citohet se ka fuqi automatike kushtetuese. Pra, nga sot e tutje, dekreti jo vetëm që nuk është shpallur antikushtetues, por në të ardhmen, ‘ex constitutione’, do të shpërndahet Kuvendi. Pra, tash e tutje, ajo që është thënë në dekret, është thënë me aktgjykim dhe merr formën e fuqisë automatike kushtetuese”, tha Hasanapapaj.
“Në situata të ngjashme në të ardhmen, kushdo që të jetë president, s’ka nevojë fare të nxjerrë dekret, sepse sipas kësaj praktike të GJK-së, Kuvendi ‘ex constitutione’ shpërndahet vetë, dhe presidentit i mbetet vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve, brenda 45 ditësh”, u shpreh ai.
Sipas analizës së tij, dekreti nuk ka më efekt juridic “sepse tash e tutje vetë Kushtetuta dhe ky vendim e bëjnë saktësisht atë që e ka bërë ky dekret.”










