Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë kohë deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje të re.
Të mërkurën, gjykata më e lartë e vendit i dha ligjvënësve të legjislaturës aktuale afat shtesë prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Gjykata, në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, konstatoi se dekreti i 6 marsit 2026 i presidentes nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri brenda 34 ditësh, atëherë presidenti do të ketë gjashtë data të mundshme për caktimin e mbajtjes së votimeve të parakohshme.
Datat legjitime për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë të dielat, nga më e afërta 3 maj deri te më e largëta 7 qershor.
Në praktikë, zakonisht zgjidhet një datë pak më e vonshme për arsye të përgatitjes së zgjedhjeve.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i nxjerrë të mërkurën, trajtoi kërkesën e Qeverisë së Kosovës dhe të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, të cilët kërkuan vlerësim të kushtetuetshmërisë së dekretit të nxjerrë më 6 mars nga presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Osmani e shpërndau Kuvendin dukje u thirrur në zbatim të Nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sipas të cilit Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Ky afat përfundoi me 5 mars. /Paparaci.com










